Hetimi i aksidenteve dhe incidenteve hekurudhore
Në kuadër të KHAIA-së funksionon Organi për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore, përgjegjës për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në transportin hekurudhor në Republikën e Kosovës.
Hetimet synojnë identifikimin e shkaqeve dhe faktorëve që kanë kontribuar në ngjarje, me qëllim parandalimin e përsëritjes së tyre dhe përmirësimin e sigurisë hekurudhore. Procesi përfshin mbledhjen dhe analizimin e provave, përgatitjen e raporteve dhe, sipas rastit, dhënien e rekomandimeve të sigurisë.
Organi hetues vepron në mënyrë të pavarur nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, operatorët hekurudhorë, menaxherët e infrastrukturës dhe palët e tjera të interesit. Hetimet kanë karakter parandalues dhe nuk synojnë përcaktimin e fajit apo të përgjegjësisë penale, civile ose administrative.
Veprimtaria mbështetet në Ligjin nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Kosovës, me ndryshimet dhe plotësimet në fuqi, veçanërisht në nenet 31–37, si dhe në Udhëzimin Administrativ (MI) nr. 11/2018 për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në transportin hekurudhor.