
Kosova u vlerësua për kontributin e saj në rritjen e vazhdueshme të trafikut ajror ndërmjet BE-së dhe vendeve të HPEA-së, një treg që në vitin 2024 arriti në 20 milionë udhëtarë.
Delegacioni, i udhëhequr nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), z. Arianit Islami, përfshinte edhe z. Arben Dika nga KHAIA. Delegacioni prezantoi zhvillimet në sektorin e aviacionit civil dhe theksoi nevojën për trajtim të barabartë të Kosovës në kuadër të organizatave evropiane të aviacionit, si EASA dhe EUROCONTROL.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, i cili kryesoi takimin, njoftoi se Komisioni dhe EASA janë dakorduar të nisin procedurat për lidhjen e Aranzhimeve të Punës me AAC-në e Kosovës, njësoj si me shtetet e tjera fqinje, me nënshkrimin e planifikuar për vitin 2026. Këto aranzhime do t’i mundësonin Kosovës, ndër të tjera, statusin e vëzhguesit në Bordin Menaxhues të EASA-s dhe pjesëmarrjen në grupet teknike ku diskutohen rregullat e reja evropiane për aviacionin civil.
